Projektrezoluta e PSD-së për dialog nuk negociohet
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani, ka deklaruar se kjo parti politike nuk do të pranojë që në mënyrë të pjesshme t’i miratohen në Kuvend dokumentet e saj për dialogun me Serbinë. Ai ka bërë me dije se projektrezoluta dhe projektligji për dialog i këtij subjekti politik mund të pranohen në tërësi nga Kuvendi ose të refuzohen në tërësi. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gorani ka thënë se çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe dëshmi e mosdijes politike. “Këtu ka vetëm dy zgjidhje: ose ta hedhin poshtë në tërësi përpjekjen e PSD-së ose ta pranojnë në tërësi. Çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe dëshmi e mosdijes politike”, ka thënë Gorani.
Ai ka treguar se dy dokumentet e PSD-së e formësojnë institucionin negociator të Kosovës për procesin e dialogut. “Me të qartësohen mandati, përfaqësimi, vendimmarrja dhe llogaridhënia në delegacionin shtetëror. Po ashtu, fuqizimi i saj realizohet përmes Projektligjit për Dialogun i cili duhet të votohet në Kuvend. Këto dy dokumente janë të ndërlidhura njëri me tjetrin. Rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse ligji pa rezolutë nuk ka kuptim politik”, është shprehur ai, duke shtuar PSD-ja dhe grupi i saj parlamentar e kuptojnë dialogun me Republikën e Serbisë si proces të paevitueshëm, edhe pse i padrejtë politikisht dhe historikisht. “Tash e një vit ajo që pamë nga pushteti vendor ishte amatorizëm politik dhe paaftësi qeverisëse karshi një çështjeje kaq me rëndësi. Për të satën herë u kuptua se udhëheqja jonë është analfabete për këso punë, ndërkohë që pjesa më e madhe e opozitës jeton me shpresë se bisedimet mund të shtyhen për ndonjë kohë dhe situatë më të volitshme për të”, ka vlerësuar Gorani.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për rolin që presidenti i vendit do ta ketë në këtë proces sipas këtyre dy dokumenteve. “Roli i presidentit mbetet ai që e përcakton Kushtetuta e Republikës, përfaqësimi i vendit. Por, jo edhe udhëheqja e bisedimeve kaq të rëndësishme. Kjo nuk parashihet e as nuk nënkuptohet në Kushtetutë. Kosova nuk ka sistem presidencial, andaj nuk duhet të humbim kohë duke diskutuar diçka të kotë”, ka thënë Gorani.
“Epoka e re”: Z. Gorani, PSD-ja ka dorëzuar në Kuvend një projektrezolutë dhe një projektligj për dialogun me Serbinë. Çfarë përmbajnë këto dokumente?
Gorani: Projektrezoluta e PSD-së e formëson institucionin negociator të Kosovës për procesin e dialogut. Me të qartësohen mandati, përfaqësimi, vendimmarrja dhe llogaridhënia në delegacionin shtetëror. Po ashtu, fuqizimi i saj realizohet përmes Projektligjit për Dialogun i cili duhet të votohet në Kuvend. Këto dy dokumente janë të ndërlidhura njëri me tjetrin. Rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse Ligji pa Rezolutë nuk ka kuptim politik.
“Epoka e re”: Pse pikërisht tash dolët me këtë propozim. Cili është qëllimi?
Gorani: PSD-ja dhe grupi i saj parlamentar e kupton dialogun me Republikën e Serbisë si proces të paevitueshëm, edhe pse i padrejtë politikisht dhe historikisht. Presioni ndërkombëtar për nisjen sa më të shpejtë të tij parakupton përgatitje serioze dhe strukturim të mënyrës se si do të funksionojë përfaqësimi ynë shtetëror atje. Tash e një vit, ajo që pamë nga pushteti vendor ishte amatorizëm politik dhe paaftësi qeverisëse karshi një çështjeje kaq me rëndësi. Për të satën herë u kuptua se udhëheqja jonë është analfabete për këso punë, ndërkohë që pjesa më e madhe e opozitës jeton me shpresë se bisedimet mund të shtyhen për ndonjë kohë dhe situatë më të volitshme për të. Me hartimin e Projektrezolutës dhe Projektligjit mbi Dialogun, PSD-ja u përpoq ta tejkalojë këtë qorrsokak tradicional. Përmes tyre, PSD po ofron ndërtimin e një mekanizmi efikas negociator në situatën kur bisedimet duken të paevitueshme, ndërkohë që udhëheqja e paaftë politike përbën një fakt shoqëror.
“Epoka e re”: Këto dokumente po shihen në opinion si përpjekje për ta kufizuar rolin e presidentit në dialogun me Serbinë. Si do të arrihet kjo?
Gorani: Roli i presidentit mbetet ai që e përcakton Kushtetuta e Republikës – përfaqësimi i vendit. Por, jo edhe udhëheqja e bisedimeve kaq të rëndësishme. Kjo nuk parashihet e as nuk nënkuptohet në Kushtetutë. Kosova nuk ka sistem presidencial, andaj nuk duhet të humbim kohë duke diskutuar diçka të kotë. Presidenti dhe institucionet e tjera kushtetuese janë të rëndësishme në përfaqësim formal, por jo edhe për negociim. Për këso situata të veçanta historike, Kuvendi i Republikës mandaton një delegacion shtetëror i cili zhvillon bisedimet nën mbikëqyrje të tij. Dokumentet që i hartoi PSD-ja ofrojnë një zgjidhje kredibile dhe rrugëdalje nga paraliza e sotme e shkaktuar nga mosdija pushtetore dhe bllokimi opozitar.
“Epoka e re”: Deri më tani AAK-ja dhe Nisma kanë dalë në mbështetje të kësaj përpjekje, por PDK-ja është shprehur më hezituese për kufizimin e rolit të presidenti në këtë proces. E keni diskutuar këtë çështje me PDK-në?
Gorani: PDK-në e ka bllokuar ndikimi i presidentit Thaçi mbi udhëheqjen e saj. Ai po i interpreton dokumentet e PSD-së si suprimim i mandatit të vet. Kjo është e pakuptimtë meqë ai nuk ka mandat negociues. Këtu ka vetëm dy zgjidhje: ose ta hedhin poshtë në tërësi përpjekjen e PSD-së ose ta pranojnë në tërësi. Çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe dëshmi e mosdijes politike.
“Epoka e re”: Dy subjektet e tjera opozitare e kanë kundërshtuar këtë iniciativë tuajën. Madje zyrtarët e këtyre subjekteve e kanë kritikuar PSD-në për këtë veprim, duke thënë se po i shërbejnë pushtetit. Cili është komenti juaj?
Gorani: Nuk i komentoj qëndrimet e subjekteve të tjera. Në këtë tregun kaotik të politikës parlamentare, PSD-ja i hartoi dhe i ofroi dy dokumente/formulime që do të mund të përdoreshin për ta ndërtuar një angazhim efikas në bisedime. Këto mund të pranohen ose të refuzohen. Nuk shoh nevojë që ato të përdoren për dramatizime, ofendime dhe cirkus publik. Nëse dikush ka ide më të mira, le t’i hartojë dhe le t’i ofrojë. Tash e një vit dëgjuam vetëm grindje dhe sharje, duke mos u ofruar asnjëherë diçka e shkruar dhe kuptimplotë.
“Epoka e re”: A do të pranojë PSD-ja të bëhet pjesë e procesit të dialogut me Serbinë nëse LDK-ja dhe LV-ja refuzojnë një gjë të tillë?
Gorani: Po, nëse pushteti i pranon propozimet tona dhe nëse ato marrin shumicën e votave në Kuvend. Qëndrimet e LDK-së dhe të LV-së janë e drejtë dhe çështje e tyre. Ato e shohin ndryshe zgjidhjen e këtij procesi të ndjeshëm politik dhe historik. Mbase mund të dalë që e kanë mirë. Sidoqoftë, në situatën aktuale të presioneve ndërkombëtare dhe të paaftësisë qeveritare, u dashtë që dikush të ofrojë diçka. Partia Socialdemokrate e mori mundin të hartojë diçka në letër. Por, ato që po vazhdojmë të dëgjojmë janë vetëm fjalë.
Muhamet KOCI