Projektrezoluta për Kosovën, PS dhe “Rithemelimi” i Sali Berishës arrijnë konsensus, PD-ja kundër

11 tetor 2023 | 22:21

PS dhe një pjesë e opozitës parlamentare në Shqipëri, mësohet se kanë rënë dakord për një rezolutë të përbashkët lidhur me Kosovën. Burime parlamentare nga pozita dhe opozita për RTSh-në bën të ditur se pas disa debatesh është rënë dakord për një projektrezolutë të përbashkët që dënon sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës.

Por PD-ja deklarohet kundër dakordësisë mes PS-së dhe “Rithemelimit”, lidhur me këtë projekt- rezolutë të përbashkët.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur zhgënjim për tekstin e projekt- rezolutës, duke e komentuar dakordësinë si “vendime të një “Aleance të Heshtjes” mes ‘Rithemelimit’ dhe PS-së. Për miratimin e projekt- rezolutës Kuvendi do të zhvillojë një seancë të posaçme të enjten.

Projektrezoluta në fjalë është si më poshtë:

Dokumenti i dakordësuar mes PS-së dhe një pjese të opozitës thekson se: “Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës; në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon; thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023; Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.”

Kuvendi i Shqipërisë deklarohet se: “Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës; Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.”./rtsh.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara janë të afta të mbështesin njëkohësisht Ukrainën…