Prokurorët amerikanë akuzojnë një 27-vjeçar për ‘terrorizëm të brendshëm’
Richard Holzer nga Kolorado është paraqitur para gjykatës rreth dyshimeve për komplot të bombardimit të sinagogës në një rast që prokurorët amerikanë e kanë përshkruar si “terrorizëm të brendshëm”.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Holzer ka planifikuar të bombardojë sinagogën Tempulli Emanuel në qytetin Pueblo, në kuadër të një “lufte të shenjtë racore”.
Holzer, 27-vjeçar është takuar me agjentë të fshehtë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për të vizituar tempullin dhe për të planifikuar sulmin, kanë thënë prokurorët.
Gjatë seancës ai ka kërkuar që gjykata t’i caktojë një avokat.
Agjenti special i FBI-së, John Smith ka thënë se Holzer ka “përdorur disa llogari në Facebook për të promovuar ideologjinë e supremacisë së bardhë dhe akteve të dhunës”.
Ai i ka thënë agjentit të fshehtë se ka qenë anëtar i Ku Klux Klan (KKK) një prej grupeve më të vjetra të supremacisë së bardhë në Shtetet e Bashkuara.
Ai është arrestuar të premten dhe ka pranuar se ka planifikuar shpërthimin e sinagogës në mbrëmjen e asaj dite, kanë thënë prokurorët.
Holzer përballet ma akuza për tentime të pengimit të lirive fetare me forcë, duke përdorur mjete shpërthyese dhe zjarr.
Pas të shtënave masive në El Paso në Teksas në muajin gusht, akt i cili po trajtohet si krim i bazuar në urrejtje, dhjetëra persona raportohet se janë arrestuar në tri javë, lidhur me kërcënimet për dhunë masive.