Prokurorët në Nju Jork nisin hetime kriminale kundër Trumpit
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Nju Jork ka njoftuar se po heton Organizatën Trump “në cilësi kriminale”.
Një zëdhënës i prokurores Letitia James tha se hetimet në kompaninë e pronave të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “nuk janë më thjesht civile”.
James ka qenë duke shqyrtuar marrëdhëniet financiare të Trumpit edhe para se ai të merrte detyrën e presidentit, në janar të vitit 2017.
Trump, republikan, e mohon keqbërjen dhe thotë se hetimet nga një prokurore demokrate janë hakmarrje politike.
“E kemi informuar Organizatën Trump se hetimet nuk janë më thjesht të natyrës civile”, tha për BBC-në zëdhënësi i Jamesit, Fabien Levy, duke mos dhënë detaje të tjera.
Ai nuk tregoi se çfarë i ka shndërruar hetimet nga civile në kriminale dhe nëse vetë Trump është personalisht i përfshirë në ndonjë akuzë, raporton Rel.