Prokurorët paraqesin si prova në rastin e Gucatit e Haradinajt konferencat për media e postimet në ‘Facebook’
Prokurorët në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt kanë paraqitur para trupit gjykues sipas tyre, prova që dëshmojnë se krerët e OVLUÇK-së kanë penguar punën e Gjykatës Speciale në Hagë.
Sipas tyre, ata kanë frikësuar dëshmitarët e familjarët e tyre, duke i quajtur ata tradhtarë dhe spiunë.
Prokurorët në cilësinë e provave kanë paraqitur konferencat të cilat Hysni Gucati e Nasim Haradinaj i kanë mbajtur në Prishtinë, duke bërë publike sipas tyre disa dokumente të cilat përmbajnë emra dëshmitarësh e dëshmi të tyre për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në disa prej provave që kanë paraqitur prokurorët ishin edhe postimet të cilat Nasim Haradinaj i kishte bërë në llogarinë e vet në “Facebook” si dhe disa prej deklarimeve të krerëve të OVL UÇK-së nëpër televizione në Kosovë.