Prokurorët reagojnë rreth Projektligjit për pagat
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shqyrtuar sot në mbledhjen e jashtëzakonshme Projektligjin për pagat në sektorin publik, me ç’rast ka pasur një fokus të veçantë diskutimet lidhur me propozimet e dhëna për koeficientet për sistemin prokurorial, të cilat kjo shoqatë konsideron se janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.
Sipas kësaj shoqate, ky kategorizim nivelesh të pagave është në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë së pushteteve, e drejtë kjo, të cilën e garanton në mënyrë eksplicite Kushtetuta e Kosovës.
“Sipas këtij propozimi, del se pagat e prokurorëve të shtetit zvogëlohen pothuajse 100 për qind, në krahasim me të tanishmet, gjë që është në kundërshtim, përveç të tjerave, edhe me Ligjin për Prokurorin e Shtetit,në të cilin thuhet shprehimisht se ‘paga e prokurorit të shtetit mund të zvogëlohet vetëm me masë disiplinore’, si dhe është edhe në kundërshtim të haptë edhe me Kartën evropiane për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës
Kjo shoqatë ka konstatuar se ky propozim, i cili nëse miratohet dërgon gjerë të ulja e pagave të prokurorëve, kurse Kryeprokurori i Shtetit radhën e koeficienteve renditet në vendin e 14-të, është jashtëzakonisht denigrues dhe nënçmues për sistemin prokurorial.
Ata i kanë bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, komisioneve përkatëse parlamentare, deputetëve dhe kryeministrit, që para të se të miratohet projektligji për pagat, të shqyrtojë edhe një herë seriozisht gjetjen e mundësisë për ruajtjen e sistemit të tashëm të pagave,përndryshe, do të jemi të detyruar që të drejtën tonë ligjore dhe kushtetuese ta kërkojmë në forma të tjera.
/Epoka e re/