Prokurori kërkon dënimin e Gucatit dhe Haradinajt, thotë se synuan shkatërrimin e Speciales
Prokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, i ka kërkuar trupit gjykues që të shpallë fajtor Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, pasi sipas tij “ata kanë kryer krim dhe se nuk janë penduar për një gjë të tillë”.
Ai ka thënë se dënimi ndaj tyre do të parandalonte veprimet e tyre të ngjashme në të ardhmen si dhe veprimet e njerëzve të tjerë në Kosovë, që sipas tij, synojnë të pengojnë punën e Gjykatës Speciale.
Në kohën kur po bëhen parashtrimet për masën e dënimit, Prokurori i Specializuar ka thënë se çështja gjyqësore ndaj krerëve të OVLUÇK-së është e rrallë, dhe sipas tij, nuk lë dyshim lidhur me synimin e tyre për të kryer veprën penale me dashje.
“Fajësia e të akuzuarve është provuar dhe tani na mbetet të vendosim se cila do të jetë masa e dënimit. Këta të akuzuar janë unikë, sepse ata nuk janë penduar. Ata kanë shkuar më tej duke thënë se do ta bëjnë këtë krim apo një krim të ngjashëm po t’u jepej mundësia edhe në të ardhmen. Po të mos mjaftonte kjo, është çështje shumë e rrallë në çdo juridiksion që të keni përpara dy individë që janë fanatikë dhe të angazhuar për të shkuarën e tyre penale dhe që e kanë thënë shumë qartë atë. Do të duhej që këtyre t’u jepej një masë dënimi me burg shumë e madhe, me qëllim që të mos insistojë asnjë shpresë që të shkatërrohet kjo gjykatë”, ka thënë Smith.
Ai ka përsëritur se në Kosovë ekzistojnë njerëz që synojnë të pengojnë punën e gjykatës.
Më tutje, ai ka thënë se vendimi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt duhet të shqiptohet në përputhje me krimin.
Ai ka thënë se të gjitha veprimet e Gucatit dhe Haradinajt ishin me qëllim të arritjes së qëllimit të tyre sipas tij për të shkatërruar gjykatën.
“Synimi i të akuzuarve dhe angazhimi është të shfrytëzonin mjetet penale për të arritur synimin e tyre për të shkatërruar tërësisht këtë gjykatë. Një fokus i veçantë për të përcaktuar masën e dënimit duhet të jetë edhe sa e rëndë është kjo vepër penale, vlerësimi fushëveprimit të saj dhe mënyra si viktimat po kërkojnë drejtësi, të akuzuarit nuk kanë kërkuar thjesht të minojnë procedimin penal apo të ndalojnë një dëshmitar që të vijë te kjo gjykatë, ata kanë kërkuar të shkatërrojnë këtë gjykatë, këtë institucion të drejtësisë të krijuar nga vullneti i popullit të Kosovës dhe për t’u shërbyer viktimave në Kosovë dhe më tutje”, ka thënë prokurori, duke shtuar se Gucati dhe Haradinaj kanë synuar frikësimin e dëshmitarëve dhe viktimave me qëllim që të njëjtit të mos bashkëpunojnë me gjykatën. /Ksp/