Prokurori Smith që hetoi krimet e luftës në Kosovë dërgohet për ta hetuar Trumpin
Jack Smith nuk do të jetë më Kryeprokuror i Gjykatës Speciale. Smith, i cili ishte në detyrën e kryeprokurorit që nga viti 2018 në Gjykatën e Hagës, për të hetuar krimet e luftës në Kosovë, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të hetuar raste të tjera.
Smith është emëruar prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago t ëish presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një deklaratë, Smith u zotua të kryejë hetimet “në mënyrë të pavarur dhe në traditat më të mira të Departamentit të Drejtësisë.
“Ritmi i hetimeve nuk do të ndalojë nën vëzhgimin tim. Unë do të ushtroj gjykim të pavarur dhe do t’i çoj hetimet përpara me shpejtësi dhe tërësisht në çfarëdo rezultati që diktojnë faktet dhe ligji”, tha Smith.
Smith filloi karrierën e tij si ndihmës prokuror qarku me Zyrën e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut në vitin 1994. Ai iu bashkua Distriktit Lindor të Nju Jorkut në vitin 1999 si ndihmës avokat i SHBA-së, ku ndoqi penalisht çështje duke përfshirë shkelje të të drejtave civile dhe oficerë policie të vrarë nga bandat, sipas Departamentit të Drejtësisë, shkruan CNN.
Duke filluar nga viti 2008, ai punoi për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbikëqyri hetimet e krimeve të luftës nën Zyrën e Prokurorit për dy vjet.
Në vitin 2010, ai u bë shef i Seksionit të Integritetit Publik të Departamentit të Drejtësisë, ku mbikëqyri çështjet gjyqësore të rasteve të korrupsionit publik përpara se të emërohej ndihmësi i parë i avokatit të SHBA për Distriktin e Mesëm të Tenesit në 2015.