Prokurori Special nesër flet për çështjen e Salih Mustafës
Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Hagë nesër do të mbajë konferencë në lidhje me të arrestuarin e parë nga kjo gjykatë, Salih Mustafa.
Në kalendarin e agjendës së Gjykatës Speciale, për nesër është paralajmëruar një konferencë për media e Prokurorit Jack Smith, i cili do të flas për ecurinë e çështjes së Salih Mustafës.
Konferenca pritet të mbahet të hënën më 5 tetor nga ora 15:00.
Kujtojmë se Salih Mustafa u arrestua në Prishtinë më 24 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Mustafa më 28 shtator ka pasur paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, shkruan gazetablic.
Aktakuza e ngarkon ish-pjesëtarin e UÇK-së me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.