Prokuroria: 41 persona dyshohen se kanë kryer vepra penale gjatë procesit zgjedhor
Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, që është mbajtur më 6 tetor, prokurorët kanë qenë të angazhuar në parandalimin e cenimit të drejtës së votës dhe ndjekjen penale ndaj kryesve të veprave penale kundër të drejtës së votimit.
Ky institucion ka bërë me dije se janë paraqitur 35 informata për 41 persona të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penal në lidhje me procesin zgjedhor.
“Rastet e paraqitura tek Prokurori i Shtetit dhe ato të filluara me iniciativën e tij, në bazë të informatave të marra nga mediet dhe shoqëria civile, janë trajtuar me përparësi nga prokurorët. Deri në ditën e sotme Prokurorit të Shtetit i janë paraqitur tridhjetë e pesë (35) informata për dyzet e një (41) persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, prej të cilëve shtatë (7) komisionerë, dhe tridhjetë e katër (34) qytetarë. Për më tej, nga numri i përgjithshëm i këtyre 41 personave, njëzet e pesë (25) prej tyre janë ndaluar (për 48 orë), për dy (2) prej tyre gjykata ka shqiptuar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj një (1) të dyshuari, gjykata ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak”, është thënë në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
/Epoka e re/