Prokuroria aktivizohet pas deklaratës së Duda Baljes e cila tha se një grua u dhunua nga një polic që jeton në Graçanicë
Të shtunën në emisionin “Oxygen” në “Klan Kosova”, deputetja e Kuvendit të Kosovës Duda Balje, e ka paraqitur një rast prekës të një gruaje e cila është viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Balje ka thënë se gruaja në fjalë e njeh dhunuesin.
Ajo ka thënë se sipas deklaratave të viktimës dhunuesi punon në Policinë e Kosovës dhe jeton në Graçanicë.
“Dua të ndajë një moment me ju që e kam përjetuar para një viti. Ka qenë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut një grua që ka përjetuar dhunë seksuale në kohën e luftës në Kosovë”.
“E ka ditur kush është personi dhe e ka ditur se ku jeton ai. Ai e ka dhunuar disa herë atë dhe e ka njohur. Para një viti në komision ajo ka deklaruar se dhunuesi është pjesëtarë aktiv në Policinë e Kosovës dhe jeton në Graçanicë”, ka thënë ajo.
E kjo deklaratë e ka aktivizuar Prokurorinë Speciale.
Prokurorja Drita Hajdari, ka thënë për “Klankosova.tv” se janë duke i grumbulluar informacionet lidhur me rastin.
“Jemi në kontakt me deputeten për të siguruar prej saj informacionin e nevojshëm për hapjen e rastit”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka thënë se Balje ishte dashur ta raportonte rastin në prokurori dhe polici.
“Jam e habitur. Ajo është dashur që rastin ta raportojë në Prokurori dhe Polici dhe jo ta trajtojë një rast të tillë të ndjeshëm në një emision zbavitës”, ka thënë ajo.