
Prokuroria dhe Policia, konferencë në 11:30 pas aksionit që lidhet me vrasjen e policit në Kaçanik
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të mbajnë konferencë për media sot në ora 11:30 në lidhje me vrasjen e policit në Kaçanik, Muhamed Lika.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjen e zyrtarit policor në Kaçanik. Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës. Konferenca do të mbahet nga ora 11:30, në Stacionin Policor në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në konferencë do të jetë i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha, kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sot në Kaçanik është zhvilluar një aksion i Njësive Speciale. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se ky aksion ndërlidhet me vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani për Express.
Lika u vra më 1 prill të këtij viti.