Prokuroria e gatshme që në shtator të fillojë gjykimi, mbrojtja kërkon që ish-drejtuesit e UÇK-së të lirohen nga paraburgimi
Gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicola Giu ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nëse mund të japin një datë për dorëzimin e dosjes paraprake për rastin ndaj ish-drejtueseve të UÇK-së. Ai ka thënë se data e synuar është mesi i tetorit.
Në lidhje me këtë pyetje, prokurorja ka thënë se parashtrimi i tyre për hetimet është i pandryshuar.
Ajo ka thënë se hetimet në përmbushjen e mandatit parashikohen të vazhdojnë dhe kjo nuk do të ndikojë në afatin e paragjykimit.
“Ne jemi të vetëdijshëm që do të na kërkohet autorizim gjyqësor dhe kur të dalin materialet shfajësues do t’i nënshtrohen nxjerrjes. Ne jemi në gjendje që këto materiale t’i paraqesim në mesin e tetorit. Ka një ndryshim nga parashikimi që kishim bërë më herët për në shtator. Në konferencën e fundit data në shtator ishte data më e hershme e parashikuar. Që atëherë na është bërë e qartë. Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe parashikojmë të vazhdojmë deri në shtator të vitit 2021. Parashtrimi ynë do të mbetet siç ka qenë. Do t’i bëjmë parashtrimet lidhur me kohën e propozuar dhe dorëzimin e dosjes paraprake ”,ka thënë prokurorja.
Ndërsa avokati i Hashim Thaçit, Pierre Richard Prosper ka thënë se ka mbetur pa fjalë. Sipas tij prokuroria është duke kërkuar që të kenë durim, por ai pyet, përse janë ata aty nëse ata nuk janë gati.
“Të akuzuarit kanë të drejtë të dinë pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria thotë se janë duke bërë hetime të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme. Unë mund të flas edhe për vitin 2030. Ne duhet ta dimë se për çfarë afati bëhet fjalë. Këta njerëz janë privuar nga liria. Të gjithë klientët tanë rrinë larg familjeve pse prokuroria nuk është gati. Derisa prokuroria vazhdon hetimet atëherë duhet t’i kthehemi çështjes së lirimit të klientëve tanë derisa prokuroria të jetë gati”, ka thënë ai.
Prosperi ka thënë se duke lejuar që të ndodhë kjo gjë, ky institucion do të njolloset.
Në anën tjetër, avokati Ben Emmerson, i cili mbron Kadri Veselin, ka thënë se kishte parashikuar se afati i parashikuar nga prokuroria për fillimin gjykimit në shtator ishte krejtësisht absurd.
Ai ka thënë se është akuzuar nga kryetari i tribunalit se kishte dhënë një parashikim të rremë për këtë afat.
“Prokuroria tani po përmend shtatorin për fillimin e gjyqit. Ne ende nuk kemi informacion se kur do të dorëzohet dosja paraprake”, ka thënë ai.
Më tutje, avokati i Rexhep Selimit, David Young është ankuar për afatin e Prokurorisë, e po ashtu për përkthimet. Ai ka thënë se një prej dokumenteve më të rëndësishme nuk është përkthyer në shqip dhe se duhet bërë kjo.
“Afati është alarmues, e është jo i kënaqshëm të pranojmë një afat të tillë kohor siç u parashtrua nga prokuroria. Një prej statistikave më domethënëse është elementi i përkthimit që filluat këtë seancë. Duhet që dokumentet më të rëndësishme të përkthehen në shqipe. Flasim këtu për informacione apo dosjen përshkrimin e detajuar që ende nuk janë vënë në dispozicion në shqip. Siç thatë në konferencën e fundit z. Gjykatës është shumë e vështirë për ne për mbrojtjen. Pasi të akuzuarit kanë të drejtë të lexojnë pretendimet e prokurorisë në gjuhën e tyre. Në një situatë e tillë kur ata nuk mund të lexojnë as edhe ndër dokumentet më të rëndësishme, në versionin shqip, në gjuhën e tyre, e po flasim tani për qershorin, çfarë ju thotë ju kjo z. gjykatës. Është një nga mijëra dokumente. Një nga dokumentet më të rëndësishme është e papërkthyer jemi në qershor tani gati. Duhet të ishim përgatitur të gjithë shumë më herët. Është e pakënaqshme situata. Dua të ju kërkojë kur të rishikoni vendimin tuaj sa i takon lirimit të përkohshëm dhe kjo duhet të merret seriozisht nga ju”, është shprehur Young.
Kurse nga prokuroria është thënë se ZPS-ja ka objektivin kryesor që të mbahet një proces i drejtë dhe i shpejtë. Po ashtu nga prokuroria është thënë se janë duke nxjerrë materialet sa më shpejt që po është e mundur.
Prokuroria në anën tjetër ka thënë se avokatët mbrojtës në kohën e fundit nuk po e shfrytëzojnë mundësinë të bëjnë parashtrime në lidhje me afatin kohor të rishikimit të mbajtjes në paraburgim të katër ish-drejtuesve të UÇK-së.