Prokuroria e Gjakovës fillon hetimet për listat e veteranëve të UÇK-së
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka pritur në takim prokurorët e kësaj prokurorie ku ka caktuar dy prokurorë të cilët do të merren me trajtimin e listave të veteranëve të UÇK-së, të cilat janë duke u dyshuar për manipulime.
Kryeprokurori Selimaj, ka kërkuar nga prokurorët e caktuar në këtë detyrë t’i intensifikojnë veprimet hetimore për rastin e mashtrimeve me listat e veteranëve të luftës.
Po ashtu, Prokuroria e Gjakovës në koordinim të plotë me njësinë e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Gjakovë, ka filluar hetimet paraprake për identifikimin dhe verifikimin e 191 personave të dyshuar si veteranë dhe akterët e tjerë të përfshirë në procesin e rekrutimit, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumentit”, “mashtrim dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.
Vlen të theksohet se Prokuroria Themelore në Gjakovë, është e përkushtuar që ta trajtojë çdo rast me seriozitetin më të lartë moral e profesional.
/Epoka e re/