Prokuroria e Gjermanisë “godet” qendrat e thirrjeve Call Center në Kosovë
Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë bastisur disa qendra të thirrjeve të quajtura “Call Center” në rajonet e Ferizajt dhe Kosovës.
Policia e Kosovës dhe Policia e Gjermanisë kanë bastisur gjashtë lokacione në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt të martën, me qëllim gjetjen e dëshmive për kryerjen e veprës penale “Pastrim të Parave”.
Prokuroria gjermane ka kryer bastisje në qendrat e thirrjeve “Call Center”, të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në gjuhën gjermane, me qëllim gjetjen e dëshmive për vepra të mundshme penale.
Ata dyshojnë se qendrat e thirrjeve “Call Center” në Kosovë, përmes veprimtarisë së tyre, kanë shkelur Kodin Penal Gjerman.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria Gjermane e Landit Saarland, bashkarisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura “Call center” në qytetin e Prishtinës dhe të Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova”, ka thënë Prokuroria Speciale.
Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpërlarje parash”.