Prokuroria e Hagës kërkon që Thaçit dhe Veselit t’u vazhdohet paraburgimi
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë edhe gati katër vjet pas arrestimit të krerëve të UÇK-së është duke kërkuar që atyre t’u vazhdohet paraburgimi.
Rasti konkret së fundmi është për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Prokuroria ka insistuar që të dyve t’u vazhdohet paraburgimi pasi që ata janë të angazhuar për sjellje të paligjshme, të cilat sipas ZPS-së, cenojnë sigurinë e dëshmitarëve.
“Të gjitha sa më sipër tregojnë se rreziku i pengimit jo vetëm që është i bazuar mirë, por se Thaçi/Veseli është i angazhuar në mënyrë aktive në sjellje të paligjshme që janë të dëmshme për sigurinë, dhe mirëqenien e dëshmitarëve dhe dëmtojnë drejtpërdrejt integritetin e procedurës. Në të vërtetë, Thaçi/Veseli paraqet një rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat e Dhomat të Specializuara të Kosovës në atë masë saqë edhe kufizimet standarde të komunikimit dhe monitorimi i Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zbutur”, është thënë në kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit, raporton “Nacionale”.
Sipas prokurorisë, është vërtetuar se Thaçi dhe Veseli tashmë kanë tentuar të nxjerrin informacione për vizitorët. Akuza të cilat, avokatët i kanë kundërshtuar ashpër.
“Në të vërtetë, ky rrezik tashmë është realizuar, pasi Thaçi/Veseli ka shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke, ndër të tjera, duke u ofruar vizitorëve informacionet e nxjerra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur, dhe duke kaluar udhëzime të destinuara për dëshmitarët e ardhshëm të Prokurorisë në lidhje me formën dhe përmbajtjen e tyre të ardhshme”, është thënë në këtë kërkesë.
Njëra prej arsyeve, sipas prokurorisë është se krerët e UÇK-së tashmë kanë dijeni për dëshmitarët e ardhshëm dhe mund ta pengojnë procesin.
“Më tej, ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, për të cilën Gjykata e Apelit është pajtuar se është një ‘konsiderim kontekstual’. Gjetje të ngjashme janë bërë në Aktgjykimin Gjyqësor Mustafa dhe aktgjykimi i Apelit Gucati dhe Haradinaj. Trupi gjykues i rastit 7 konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë’, dhe vlerësoi dëshminë e ekspertit mbrojtës Robert Reid, i cili theksoi se, në mbi 20 vjet në terren, ai kurrë nuk kishte parë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, është thënë në kërkesën e ZPS-së.
Prokuroria e Hagës ka shkuar në tjetër nivel, duke theksuar se Thaçi dhe Veseli gjithashtu mund të arratisen, pavarësisht se ky pretendim i prokurorisë është rrëzuar disa herë nga trupi gjykues.
“Rreziqet përkatëse, duke përfshirë ato në lidhje me ikjen, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të KSC. Ky Panel kohëve të fundit ka arritur në përfundimin se rreziqet e pengimit të procedurës dhe kryerjes së veprave të mëtejshme mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DSK-së”, është thënë në këtë kërkesë.
Krerët e UÇK-së janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, kur janë arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale. Që nga atëherë, asnjë mundësi për lirim nga paraburgimi nuk është aprovuar.