Prokuroria e Hagës me bastisje në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala
Prokuroria e Specializuar e Hagës po realizon bastisjes në shtëpitë e së paku dy ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala.
Lajmin e kanë konfirmuar disa burime të ndryshme për gazetën Nacionale.
Nacionale ka siguruar edhe fotografi nga shtëpia e Smakës ku po qëndron një veturë e EULEX-it.
Avokati Artan Qerkini i ka konfirmuar bastisjet në një deklaratë për Nacionalen.
“Është duke ndodhur një bastisje, por asnjë informacion tjetër nuk mund të ndajë për momentin”, ka thënë ai.
Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme.
ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.
Krejt këto aksione ata i kanë arsyetuar me tentimet për të ndikuar në dëshmitarë.
Së fundmi, Prokuroria e Hagës ka arrestuar Sabit Januzin e Ismet Bahtijarin, me pretekstin se kanë tentuar të ndikojnë tek një dëshmitar.