Prokuroria e Prizrenit gjatë këtij viti ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje
Në Prokurorinë e Prizrenit është mbajtur të mërkurën takimi i rregullt i grupit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.
Në këtë takim thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, dhe mbështetur nga OSCE, ishin të pranishëm përfaqësues nga Policia e Kosovës për regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga Njësia për të Drejtat e Njeriut në Regjionin e Prizrenit.
Të gjithë pjesëmarrësit në takim theksuan se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me vitin 2020.
Prokurorja Mehreme Hoxha ka dhënë detaje statistikore sa i përket lëndëve të dhunës në familje për vitin 2021. “Në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona. Në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona. Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak”, ka deklaruar ajo.
Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të këtyre rasteve.
Po ashtu në këtë takim u potencua se rastet në familje janë rastet më të vështira për trajtim, andaj, u kërkua që hartimi i kallëzimeve penale të bëhet në mënyrë sa më profesionale dhe të vlerësohet rrezikshmëria e viktimës në mënyrë që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtje të viktimës.
Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me kapacitetet ekzistuese për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje.