Prokuroria e Shtetit bëhet me strategji për ndjekjen e krimeve të luftës
Prokuroria e Shtetit, në kuadër të ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive ligjore tash e tutje do të ketë në dispozicion një dokument të rëndësisë së veçantë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, ngaqë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë aprovuar Strategjinë për raste e krimeve të luftës, në mbledhjen e mbajtur më 21 shkurt.
jo strategji, hartimi i së cilës është iniciuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, synon t’i hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte në kundërshtim më të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.
Një numër i madh i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të tjera të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare, të kryera në formë të vrasjes së civilëve, zhvendosjes së detyruar të popullatës civile, burgosjes së paligjshme, torturës, dhunës seksuale, trajtimit çnjerëzor, grabitjes dhe shkatërrimit të pronës, të pasurive ekonomike, objekteve kulturore dhe religjioze dhe veprave penale të tjera të ngjashme kanë ndodhur në territorin e Kosovës në shkallë të gjerë apo sistematike në kontekst dhe si rrjedhojë e zhvillimit të luftës (konfliktit), e cila ndodhi në periudhën kohore 1998 dhe 1999.
Sipas të Drejtës ndërkombëtare, hetimi dhe ndjekja penale efikase dhe efektive e krimeve të rënda, përkitazi, parimet e transparencës, lirisë nga ndërhyrja politike, respektimi i drejtave të njeriut dhe përgjegjësitë individuale penale, janë mjete thelbësore për përcaktimin e përgjegjësisë së kryerësve, vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe palët e dëmtuara, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka marrë kompetencat ekskluzive në qershor të vitit 2018 për t’i hetuar dhe ndjekur krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Fillimisht, këto raste ishin në kompetencë të prokurorëve të UNMIK-ut dhe më pastaj kishin kaluar në kompetencë të Misionit evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Që nga muaji qershor 2018 e deri më tani, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, konkretisht në Departamentin e Krimeve të Luftës, nga misioni i EULEX-it janë transferuar afro 900 lëndë të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Gjithashtu, janë transferuar edhe afro dymijë (2000) lëndë për persona të zhdukur.
Për të pasur një hetim dhe ndjekje penale efikase dhe efektive, Strategjia për trajtimin e krimeve të luftës parasheh përforcimin e Departamentit për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale më gjithsejtë pesë (5) prokurorë dhe stafit mbështetës, të cilët do t’iu shërbejnë prokurorëve në trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës.
Në bazë të strategjisë dhe numrit të lëndëve, të cilat janë në Prokurorinë Speciale, parashihet edhe rritja e numrit të zyrtarëve policorë, të cilët duhet të kryejnë hetime në bazë të urdhrave dhe vendimeve të prokurorëve specialë.
/Epoka e re/