Prokuroria e shtetit ka nisur hetimet për biletat e Kosovës
Një ditë pas ndeshjes Kosovë – Mali i Zi, Prokuroria e shtetit ka filluar ta hetojë procesin e shitjes së biletave për shikues.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Prokuroria e shtetit ekskluzivisht për Gazetën Express. Siç dihet, prej se Kosova ka nisur të zhvillojë ndeshje miqësore, e edhe më shumë pas pranimit në UEFA e FIFA në çdo ndeshje të zhvilluar ka pasur telashe dhe ankesa me shitjen e biletave.
Ato gjithnjë kanë dalë edhe në treg të zi me çmime shumëfish më të shtrenjta sesa ato zyrtare. Kohëve të fundit, Federata e Futbollit të Kosovës e ka praktikuar formën e shitjes së biletave përmes një sistemi online, por megjithatë problemet nuk janë zgjedhur. Ankesat vazhdimisht kanë qenë prezentë, ndërsa së fundmi ka nisur të ketë dyshime edhe me këtë sistem.
Duke i marrë parasysh ankesat e vazhdueshme dhe të mëdha të qytetarëve, Prokuroria e shtetit i ka thënë Gazetës Express se ka filluar seriozisht të merret me këtë çështje. “Ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës”, theksoi zëdhënësi i Prokurorisë së shtetit, Ekrem Lutfiu. Kjo ndodh një muaj para ndeshjes me Anglinë, ku do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që tifozët të pajisen me bileta.