Prokuroria e Speciales thotë se ka 50 dëshmitarë shtesë në rastin e drejtuesve të UÇK-së
Njëra nga prokuroret e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka thënë se në procesin e hetimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbështeten edhe në 50 dëshmitarë shtesë.
Ajo ka shtuar se sa i përket provave materiale do të jenë rreth 1500 të tilla, që mund të ndryshojnë në varësi të hapave të hetimit.
“Këto materiale do të jenë të ndara në grupe, dhe ne si Prokurori mendojmë që data 31 maj 2021 do të jetë afati kur do të përfundojmë nxjerrjen e materialeve. Aktualisht tani nuk mund të identifikojmë se cili grup i materialeve do të nxirret tash. Materialet do të nxjerrën gradualisht dhe do ti jepen mbrojtjes”, ka thënë prokurorja.
Prokuroria e Gjykatës Speciale po ashtu ka kërkuar që të ketë masa mbrojtëse për disa prej dëshmitarëve që janë pjesë e rastit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ndërkohë ajo ka thënë se për rastin e ish-liderëve të UÇK-së deri më tani janë intervistuar 153 dëshmitarë.