Prokuroria fillon hetimet për mishin e importuar nga Belgjika
Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, përmes një komunikate për media, kanë bërë me dije se kanë filluar hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike, të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë.
“Prokuroria përmes urdhrit të gjyqtarëve kompetent të procedurës paraprake në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren dhe inspektorët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës dhe ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë së Kosovës.
Prokurori i Shtetit “kërkon nga të gjithë ata që kanë informata lidhur me këtë, që t’i drejtohen Prokurorisë dhe të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për zbardhjen jo vetëm të këtij rasti, por edhe rasteve tjera për të cilat mund të kenë njohuri”.
Javë më parë në Belgjikë është trajtuar si një lloj skandali çështja e kualitetit të mishit, të cilin e konsumojnë qytetarët, pasi që është zbuluar se firma “VEVIBA”, e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, si dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe me etiketat për afatin e përdorimit.