Prokuroria: Janë arrestuar 9 zyrtarë, dyshohen për keqpërdorim të pozitës e marrje rryshfeti
Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të shtunë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion për kontroll në 11 lokacione të ndryshme, ku me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë të doganës dhe një zyrtar i policisë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.
“Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ’Marrja e ryshfetit’”.
Dyshimet, sipas kësaj komunikate për media e lëshuar nga ana e Prokurorisë Speciale pas përfundimit të aksionit, janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor.
“Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë zyrtarë, tetë nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen”.
Po ashtu, sipas komunikatës, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
“20 plomba zyrtare të Doganës së Kosovë. 10 telefon së bashku me katër katër sim kartela. Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje. 16 copë municion jo zyrtar”.