Prokuroria jep sqarime nëse do t’ju ndalet pensioni ‘veteranëve të rremë’

17 shtator 2018 | 14:37

Prokurori i Shtetit ka dalë me sqarim lidhur me listën e publikuar të ‘veteranëve të rrejshëm’, sipas aktakuzës për këtë çështje, për të cilën pati pakënaqësi nga persona që thonë se ishin pjesë e UÇK-së dhe janë përshirë padrejtësisht në listë.

“Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione, dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t’i propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, është bërë me dije në njoftimin e prokurorisë.

Njoftimi i plotë i Prokurori i Shtetit:

Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione, dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t’i propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar.

Në nenin 16 paragrafi 4 të Ligjit për veteranët e luftës është e paraparë që veteranët e UÇK-së, të cilët janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit pasuror, gjithashtu edhe personat të cilët janë në kategorinë si pjesëtar i UÇK-së, ose në kategorinë pjesëmarrës i luftës, me Ligj nuk i takon e drejta për pension personal të veteranit luftëtar, dhe kjo ka qenë arsye pse disa nga ta janë përfshirë në aktakuzë si përfitues të kundërligjshëm.

Rritja e numrit prej 19060 përfituesve në 20238 përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokurori, është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por, për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteran luftëtar të UÇK-së, siç është përcaktuar me Ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim.

Prokurori i Shtetit, ushtron aktakuzë në emër të institucionit që përfaqëson, si dhe, qëndron gjithnjë prapa fakteve të përfshira në aktakuzë sa i përket veprës penale, dhe sigurimit të provave të cilat e vërtetojnë ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barë.

Kjo aktakuzë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, nuk ka të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, me vlerat e saj por është aktakuzë e paraqitur kundër zyrtarëve që kanë vepruar në kuadër të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së.

E tërë procedura penale tregon qartë, se edhe përkundër obstruksioneve Prokuroria e Shtetit, është e aftë që në mënyrë të drejtë dhe të pavarur t’i kryej obligimet e veta, e ajo është ndjekja e kryerësve të veprave penale.
Qëllimi kësaj procedure nuk është vetëm ndëshkimi i kryerësve të kësaj vepre penale, por, edhe mbrojtja e vlerave sublime të UÇK-së, angazhimi dhe kontributi i tyre i çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës, që ishte faktor vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e popullit të Kosovës, si dhe kthimin e besimit në vlerat demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albert Rohan, ish-zëvendësi i Martti Ahtisaarit në negociatat për statusin…