Prokuroria kërkon dënimin e Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, mbrojtja lirim e tij nga akuza
Në fjalën përfundimtare, prokurori Besart Mustafa, ka kërkuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të dënohet për veprën penale që i vihet në barrë, teksa mbrojtësja e tij, avokatja Arbnora Zeqiri ka kërkuar që Konjufca të lirohet nga akuza.
Këto deklarime janë bërë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca është duke u akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Në aktakuzë është thënë se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Prokurori Besart Mustafa gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, ka thënë se bazuar në provat materiale dhe profesionale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Nga dëshmitë e dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sllobodan Petroviq dhe Valdete Bajrami është vërtetuar se më 10.08.2016 gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës është hedhur gaz lotsjellës. Kurse, dëshmitari Pal Lekaj, kishte deklaruar se nuk i kujtohet se ishte hedhur gaz lotsjellës”, ka thënë prokurori Mustafa.
Prokurori Mustafa ka theksuar se nga raporti i vendit të ngjarjes është vërtetuar se policia ka dalë në vendngjarje dhe se afër vendit ku ka qëndruar i pandehuri Konjufca është gjetur një bombolë e gazit lotsjellës.
“Nga procesverbali i mbledhjes është vërtetuar se në këtë mbledhje ka qenë i pandehuri Glauk Konjufca dhe është vërtetuar se gjatë zhvillimeve të diskutimeve në sallën C301 ka hedhur gaz lotsjellës dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar është ndërprerë mbledhja e kryesisë”, ka thënë prokurori.
Mustafa ka thënë se Konjufca në deklaratën e dhënë në prokurori më 8 shtator 2016 ka deklaruar se e ka përdorur gazin lotsjellës, por ka thënë se nuk e konsideron se është armë dhe atë duke u bazuar në Ligjin për armët, ku ceket se gazi lotsjellës është municion dhe asgjë më shumë.
“Një pretendim i tillë i të pandehurit nuk është në pajtim me Kodin Penal 04l-082 pasi neni 120, paragrafi 88 i këtij Kodi përcakton se armë janë municioni, pjesët dhe përbërësit e armëve, si dhe armët biologjike, nukleare dhe kimike”, ka thënë prokurori Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Andaj, në fund ai ka kërkuar që Konjufca të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë dhe të dënohet sipas ligjit.
Ndërsa, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, Mustafa ka kërkuar nga gjykata të marrë parasysh rrethanat lehtësuese: bashkëpunimin në hetime ose ndjekje penale dhe sjelljen e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale si dhe rrethanat rënduese: shkalla e lartë e dashjes e të pandehurit.
Ndërsa avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka thënë se duke u bazuar në rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor dhe në atë që është dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor dhe provat që janë administruar, “konsiderojnë me bindje se nuk është argumentuar teza e aktakuzës lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale që i vihet në barrë”.
“Prokuroria ka dështuar ta vërtetojë se më 10.08.2016 në sallën e Kuvendit të Kosovës, i mbrojturi im ka përdorur gazin lotsjellës, me ç’rast pjesëmarrësit e kryesisë së Kuvendit janë detyruar ta braktisin sallën nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës”, ka thënë avokatja Zeqiri.
Sipas saj, prokuroria ka dështuar të vërtetojë faktin se çfarë mjeti ka qenë dhe çfarë pasoja ka shkaktuar ky mjet, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes, duke pasur parasysh që mungon një ekspertizë profesionale që do të përcaktonte se çfarë mjeti ka qenë.
“Tymi mund të ketë qenë tym artificial apo dekorativ që mund të përdoret në ahengje dhe mund të blihet kudo nga çdokush. Në mungesë të një prove të tillë, gjendja faktike mbetet vetëm në suaza të dyshimit se mund të ketë qenë gaz lotsjellës”, ka thënë avokatja e Konjufës.
Zeqiri ka thënë se këtë e kanë theksuar edhe organet e policisë që kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar një mjet të dyshimtë dhe më pas kanë ngritur kallëzim penal më 11 gusht 2016, në bazë të së cilit është konstatuar se gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur një mbetje që dyshohet të jetë gaz lotsjellës.
Sipas saj, mungesa e një ekspertize këtë aktakuzë e bën të pambështetshme dhe si e tillë kjo aktakuzë nuk do të kalojë dhe do të refuzohet si e pabazuar nga ana e gjykatës.
Ajo ka thënë se gjendja faktike nuk është vërtetuar as me dëgjimin e dëshmitarëve të cilët i ka propozuar,pasi sipas saj asnjë nga këta dëshmitarë nuk kanë deklaruar se e kanë parë të mbrojturin e saj të përdorë mjetin e dyshuar sipas aktakuzës.
Zeqiri ka theksuar se konsiderojnë që bombola nuk mund të konsiderohet si armë, pasi që ligjvënësi në mënyrë taksative ka përcaktuar se arma është mjet i cili është i destinuar për shkaktim të lëndimit.
“E që në këtë rast mungon lidhja kauzale shkak-pasojë, element ky thelbësor në përcaktimin e qëllimit, motivit dhe përgjegjësisë penale të çdo personi i cili akuzohet për një vepër penale”, ka thënë ajo.
Më tutje, avokatja Zeqiri ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve nuk del të ketë pasur pasoja në të lënduar nga gjendja e përshkruar në aktakuzë.
Kurse, për procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se janë të bindur që gjykata nuk do ia falë besimin një prove të tillë, pasi sipas saj kjo është një provë rrethanore.
“E që vetë procedura e marrjes së një prove të tillë nga ana e Prokurorisë është joligjore, joformale dhe nga vetëpërmbajtja e procesverbalit të tillë, shihet se ka pasaktësi në përmbajtjen e tij”, ka thënë ajo.
Sipas avokates, duke filluar që nga data e procesverbalit e deri në konstatimin ku thuhet se gjatë diskutimeve kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje hodhi gaz lotsjellës në sallën C301, e për shkak të pamundësisë për të vazhduar, kryetari i Kuvendit ka ndërprerë mbledhjen e Kryesisë, duke qenë se mbledhja e kryesisë së Kuvendit ishte kryesuar nga kryetari i Kuvendit në atë kohë Kadri Veseli, për të cilin prokuroria ka hequr dorë që të dëgjohet si dëshmitar, e që mbrojtjes i pamundësohet që të ballafaqojë dëshmitarin lidhur me atë provë.
Zeqiri ka thënë se mbrojtjes i është pamundësuar të ballafaqojë edhe dëshmitarët tjerë që kanë qenë prezent dhe kanë dëshmuar, me arsyetimin se sipas saj Prokuroria nuk ka arritur që këtë provë ta sigurojë në fazat e mëhershme të hetimit apo së paku deri në fillim të shqyrtimit gjyqësor.
Andaj, ai ka kërkuar që Glauk Konjufca të lirohet nga akuza.