Prokuroria kërkon dënimin e tetë të akuzuarve për krim të organizuar
Më dhënien e fjalës përfundimtare nga palët, të enjten ka përfunduar gjykimi për krim të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë ku po akuzohen Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger.
Prokurorja speciale Habibe Salihi, ka kërkuar që të akuzuarit në këtë rast të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan që të njëjtit të lirohen nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Salihi deklaroi se gjatë shqyrtimeve të mbajtura dhe nga administrimi i provave pa mëdyshje është vërtetuar se në veprimet e secilit të akuzuar janë manifestuar elementet e veprës penale ashtu siç janë përshkruar në aktakuzë.
“Sepse nga dëshmitë të cilat i kemi dëgju këtu shumica e dëshmitareve deklaruan se janë pajisur me dokumente të ndryshme me qëllim që të njëjtit të migrojnë ne vende të ndryshme të Evropës”, tha prokurorja Salihi.
Përveç dëshmive të dëshmitareve sipas saj janë edhe një mori provash materiale të cilat pa mëdyshje vërtetojnë veprimet e secilit të akuzuar.
Si prova materiale, ajo ka përmendur edhe dosjen në të cilat janë siguruar dokumentet si të Lituanisë, Norvegjisë, Turqisë, Rumanisë e vendeve tjera të ndryshme, e të cilat sipas saj, pas ekzaminimit nga Agjencia e Forenzikës kanë rezultuar se janë të falsifikuara.
Prokurorja Salihi tutje ka përmendur edhe raportet e përgjimeve, që sipas saj në tërësi vërtetohet vepra penale për secilin të akuzuar.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Florim Krasniqi, avokati Bekim Kafexholli në fjalën përfundimtare u shpreh se të paktën sot ka qenë i bindur dhe ka pritur nga prokuroria që të reflektojë në kuptim të asaj që të paktën të heq dorë nga dispozitivi i parë i aktakuzës.
Sipas tij, prokuroria çështjen e krimit të organizuar e ka paraqitur vetëm në mënyrë formale, por me asnjë detaj e me asnjë veprim nuk ka treguar se a ka element të formimit të veprës penale nga veprimet e të akuzuarve.
Kurse sa i përket veprës penale të kontrabandimit, i njëjti e ka quajtur një dështim të prokurorisë pasi që sipas tij duhet të jetë falsifikim e jo kontrabandim.
“Me qenë se prokuroria ju referua falsifikimit e që po mendoj se këtu është ai dështimi i prokurorisë tek çështja e falsifikimi ku realisht tash në këtë fazë ose në aktakuzë u dashtë të jetë falsifikimi e jo kontrabandimi”, tha ai.
Sipas tij, i mbrojturi i tij në asnjë fazë nuk e ka mohuar çështjen e falsifikimit.
“Florimi ka tregu në detaje edhe para këtij trupi gjykues në mënyrën me të sinqertë çështjen e falsifikimit i ka kryer vet pa bashkëpunimin e askujt”, tha ai.
Andaj, ai kërkoi nga gjykata që për veprat penale si në akuzë i njëjti të shpallet i lirë në mungesë të provave, mirëpo në rast se gjykata e vlerëson se mund të dënohet për falsifikim të dokumentit të njëjtit t’i shqiptohet një dënim më i butë.
I akuzuari Florim Krasniqi, e ka mbështetur fjalën e avokatit Kafexholli dhe iu lut gjykatës që të shoh mirë rastin se kush ka faj e kush jo.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Florent Krasniqi, avokati Muhamet Mujaj gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare ka thënë se as provat materiale e as ato personale nuk dëshmojnë se i mbrojturi i tij është i involvuar në asnjë vepër penale.
“Them me bindjen më të plotë se gjatë hetimit i cili është zhvillu nuk ka as standardet minimale sa i përket krimit të organizuar edhe kontrabandimit me migrantë”, tha ai.
Mujaj kërkoi që i mbrojturi i tij Florent Krasniqi të lirohet nga akuza pasi që i njëjti nuk ka të bëjë asgjë me këto vepra penale.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Taulant Bilalli, avokati Jeton Osmani në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se asnjë prej kushteve të kërkuara prej dispozitave ligjore për vërtetimin e dy veprave penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij nuk janë vërtetuar.
“Për më tepër as në dispozitiv të aktakuzës por as në arsyetim e madje as sot në fjalë përfundimtare nuk përshkruhet as një veprim i Taulant Billait që ka të bëj me veprat penale për të cilat akuzohet”, tha Osmani.
Sa i përket veprave penale krimi i organizuar dhe kontrabdanimi me migrantë sipas avokatit Osmani nuk ka asnjë element kryesore për ekzistimin e tyre dhe me asnjë provë nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij është përfshirë në këto vepra.
I njëjti kërkoi që i akuzuari Bilalli të shpallet i pafajshëm.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Haki Maloku, avokati Gëzim Nimani në fjalën përfundimtare ka thënë se me asnjë provë apo dëshmi të cilat janë administruar gjatë këtij procesi gjyqësor nuk është dëshmuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale që i vihen në barrë.
“Edhe në fjalën përfundimtare por edhe çdo herë në çdo kërkesë të prokurorisë thuhet se një pasaportë e falsifikuar ndër të tjera për Haki Malokun thuhet se ka marr shumen 3 mijë euro në lidhje me këtë nuk kemi asnjë indice e lere më provë apo dëshmi e cila do ta ndërlidhte Haki Malokun me pasaportën fantome në fjalë sepse e njëjta nuk është marrë asnjëherë”, tha avokati Nimani.
Nimani po ashtu ka thënë se teoria e prokurorisë se qëllimi i kontrabandimit kishte qene emigrimi kjo teori rrezohet nga vet dëshmitaret e prokurorisë të cilët sipas tij kishin deklaruar se qëllimi i tyre kishte qenë bërja biznes.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Hasani avokati Naim Rudai, gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare ka thënë se prokuroria do të duhej të vlerësonte edhe njëherë mirë aktakuzën se çka u vërtetua.
“Prokuroria që sot dorëzoi fjalën përfundimtare me 22 faqe do të ishte mirë që të thotë se a ka ndonjë bisedë të vetme që bisedon Bekim Hasani me Florim Krasniqin apo ndonjë takim apo cilin do kontakt mes tyre”, tha Rudari.
Sipas tij, tashmë është bërë një politik shumë e njohur e Prokurorisë Speciale që në momentin që arreston tre apo më shumë persona t’i ngarkojnë me veprën penale krim i organizuar.
“Prokuroria po e harron nenin 47 që ka jo të drejtë por detyrim që të bëj hetime fajësuese dhe shfajësuese lidhur me ata që i akuzon”, tha i njëjti.
Sipas tij, prokuroria të gjithë materialin që mbledh gjatë fazës së hetimit e hedh si “patate të nxehtë” tek gjykata dhe në këtë rast kërkon aktgjykim dënues për krim të organizuar e kontrabandim me migrantë por që nuk ka material.
“Përveç se prokuroria nuk e ka arsyetuar asnjëherë dyshimin e bazuar mirë këtu në gjykatë do të duhej ta argumentonte përtej çdo dyshimi të bazuar mirë”, tha tutje ai.
Gjithashtu, i njëjti tha se një aktgjykim i drejtë dhe i ligjshëm lidhur me këtë çështje mund të jetë vetëm aktgjykimi lirues.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Koplinger, avokati Mexhid Syla, ka thënë se aktakuza fund e krye bazohet në supozime.
I njëjti tha se as nuk ka parë as në aktakuzë e as nuk ka dëgjuar në fjalën përfundimtare të prokurores së cila është ajo provë që e mbështetë pretendimin e prokurorisë për ekzistimin e grupit kriminal.
“Diku rreth 50 dëshmitarë janë dëgjuar, cili është ai dëshmitar që ka thënë se Izeti ka pas naj kontakt me Florimin, cila është ajo bisede telefonike apo provë materiale që e mbështet këtë pretendim të gabuar të pretendim të prokurorisë, nuk ka asnjë”, tha Syla.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Murati, avokati Blerim Cakolli dhe mbrojtësja e të akuzuarit Samed Murati, avokatja Alberina Foniqi, përveç se fjalën e tyre e dorëzuan me shkrim sikurse të gjithë mbrojtësit e tjerë, të njëjtën nuk e kanë elaboruar.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hsani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Akuza thotë se grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtarë të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.