Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në rastin “Brezovica”
Prokuroria e Ferizajt më 7 janar kërkoi nga Gjykata Themelore e Ferizajt që të caktojë masën e paraburgimit nga tre të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Të pandehurit me iniciale B.H, A.Ç dhe I.A u arrestuan më 6 janar, nën dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit. Ata gjenden në ndalim prej 48 orësh.
B.H, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, A.Ç, ish-sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie dyshohet për po të njëjtën vepër penale si dhe për marrje të ryshfetit.
Ndërsa i pandehuri, I.A dyshohet se ka dhënë para ndaj personit zyrtar “që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare”, tha Prokuroria.
Më 6 janar, autoritetet njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Policia kreu bastisje në nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të ndërtimit në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë të Komunës së Shtërpcës.
Në dhjetor të vitit 2021, lidhur me rastin “Brezovica” u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kreun e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ai dyshohet se ka fituar në mënyrë të kundërligjshme një milion euro.
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.
Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.