Prokuroria kërkon që gjykimi të nis më 12 korrik, avokati i Salih Mustafës nuk pajtohet
Avokati i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale që gjykimi kundër klientit të tij të fillojë më 12 korrik.
Se gjykimi është më mirë që të fillojë pas pushimit veror mendon edhe mbrojtësja e viktimave të paraqitura në këtë rast.
“Ne duam që gjykimi të fillojë në korrik. Më 12 korrik. Prokuroria mund të fillojë me dëgjimin e dëshmitarëve më 15 korrik. Prokuroria do që t’i dëgjojë dy dëshmitarë para pushimit veror”, ka thënë prokurori.
Ndërsa mbrojtësja e viktimave ka thënë se e mbështet propozimin e prokurorisë dhe se do të ishte mirë që gjykimi të fillonte shpejt.
“Viktimat kërkojnë drejtësi. Ato kanë pritur 22 vjet dhe është në interes që kjo të fillojë sa më shpejt. Avantazhi i fillimit pas pushimit të verës është se ne të gjithë do të jemi të përgatitur”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër Julius Von Bone, avokat i Salih Mustafës, ka thënë se nuk pajtohen me propozimin, duke theksuar se kanë në plan t’i zhvillojnë disa hetime, pa të cilat do të ishin të papërgatitur për fillimin e gjykimit.
“Ne nuk jemi dakord me afatin kohor. Ne kemi planifikuar disa misione dhe do të ishte e vështirë t’i ndërprisnim”.
“Do të ishte edhe më mirë për gjykimin që më mirë ta bëjmë pushimin dhe më pas të fillojë gjykimi. Mendoj se pas pushimit, të gjitha proceset do të jenë më mirë të përgatitura. Në të kundërtën, do të ishte e pamundur që ne të mund të ishim të përgatitur për 12 korrik”, ka thënë avokati i Mustafës.