Prokuroria kërkon që Veselit t’i vazhdohet masa e paraburgimit
Hagë, 8 shkurt – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i Veselit është i arsyetuar në baza të shumëfishta, se asnjë kusht i shkurtër i paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës (DhSK) s’do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante është e arsyeshme”, është thënë në kërkesën e ZPS-së.
Sipas ZPS-së, nga përcaktimi i fundit i këtij paneli më 19 dhjetor 2022, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që devijojnë nga ai përcaktim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në të vërtetë, transferimi i çështjes në Panel, caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Veselit qasje të mëtejme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit”, ka theksuar SPS-ja.
Veseli së bashku me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.