Prokuroria në Gjakovë ngre aktakuzë ndaj shtatë personave për fajde dhe vepra të tjera penale
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave. Personat akuzohen për fajde si dhe vepra të tjera të kësaj natyre.
Gjithashtu, prokuroria ka propozuar konfiskimin e përhershëm të dymbëdhjetë veturave, tri motoçikletave, katër armëve të llojeve të ndryshme, parave, etj.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Gjakovë:
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër shtatë (7) personave, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale si në vijim:
Për të pandehurin A.J., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.
Për të pandehurin B.J., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 1 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Për të pandehurin Z.Z., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 1 të KPRK-së.
Për të pandehurin M.P., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Për të pandehurin G.Ll., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Për të pandehurin Xh.L., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par 1 të KPPK-së.
Për të pandehurin H.Gj., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale fajdeja” nga neni 331 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenet 33 dhe 77 të KPRK-së.
Ndërsa, konform nenit 241 par. 1 nën par 1.9 lidhur me nenet 115 par. 2, 274 të KPPRK-së, gjykatës i propozohet konfiskimi i përhershëm:
Dymbëdhjetë (12) vetura, tri (3) moto çikleta, 4 (katër) armë të llojeve të ndryshme, para, etj., si në aktakuzë.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.