Prokuroria në Gjilan brenda një jave ka ndaluar nëntë të dyshuar
Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë javës së kaluar, ka ndaluar nëntë persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për vepra të ndryshme penale.
Është bërë me dije se Departamenti i përgjithshëm i kësaj prokurorie, ka ndaluar pesë persona, për shkak të dyshimit të veprave penale, “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, “detyrim”, “vjedhje e rëndë”, “kanosje” dhe “shtrëngim”.
Ndërsa, Departamenti i krimeve të rënda, ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare”.
Në anën tjetër, nga Departamenti për të mitur, janë ndaluar tre të mitur, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare”, “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afateve ligjore, për të gjitha këto raste, ka paraqitur kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan.
/Epoka e re/