Prokuroria në Prishtinë deklarohet për rastet e veteranëve të rrejshëm
Listat e fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ende duke u hetuar. Prokuroria Speciale ka nisur t’i shpërndajë rastet e tilla në të gjitha Prokuroritë Themelore. Deri tani veteranët e rrejshëm kanë qenë “nën llupën” e Speciales ndërsa tani po hetohen nga Prokuroritë Themelore.
Sa i përket këtyre rasteve, Prokuroria në Prishtinë si duket është njëra ndër prokuroritë që do të ketë numër të madh të rasteve për t’i trajtuar.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë se kanë pranuar disa raste, mirëpo sipas tij, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore.
“Nuk mundemi të tregojmë për numrin e saktë të tyre se sa janë momentalisht të pranuara pasi që për këtë është ende herët, sepse nga Prokuroria Speciale akoma janë duke ardhur lëndët, por mund të iu them se Prokuroria Themelore në Prishtinë deri më tani ka pranuar disa raste për veteranët e rrejshëm dhe të njëjtat po i trajton me prioritet”, ka thënë Beka për Indeksonline.
Më tutje, numri një i Themelores në Prishtinë ka theksuar se gjatë ditëve në vijim do të bëjnë të ditur shifrën e saktë se sa raste të tilla do të hetohen.
Ndërsa, deri më tani është bërë e ditur se në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë 62 lëndë, ku 59 prej tyre janë me kallëzime penale, ndërsa tri të tjera me raport të veçantë.
Kurse, në atë të Prizrenit janë rastet duke përfshirë Zonën Operative të Pashtrikut, Brigadat 121, 122, 123, 124, 125, 126 dhe 128 si dhe në Prokurorinë e Gjilanit ku përfshihen rastet me Zonën Operative të Karadakut, e cila në përbërjen e saj ka pasur tri Brigada: ‘’Brigada 171’’, ‘’Brigada 172’’ dhe ‘’Brigada 173”.
Ndryshe, për momentin të drejtën e veteranit të UÇK-së e gëzojnë 37.771 persona. Mirëpo, nëse vërtetohen pretendimet e ish- prokurorit, Elez Blakaj, atëherë mbi 19 mijë janë veteranë të rrejshëm.
Rikujtojmë, se një veteran në Kosovë përfiton në muaj pensionin në vlerë prej 170 euro.