Prokuroria ngre aktakuzë kundër dy grave që iu bashkuan ISIS-it
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur sot dy aktakuza kundër të pandehurave A.M dhe J.Xh për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.
Sipas kësaj prokurorie, e pandehura A.M, më 14 dhjetor 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe përmes Aeroportit të Shkupit ka udhëtuar për në Stamboll, ku përmes Republikës së Turqisë ka hyrë në Siri dhe është takuar me bashkëshortin e saj, i cili e kishte pritur atje, me qëllim që t’i bashkohet organizatës terroriste, ISIS, nga e cila është financuar rregullisht me shumën e të hollave prej 200 – 300 euro në muaj.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj të pandehurës J.XH. Prokuroria ka bërë me dije se e pandehura më 27 dhjetor 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe së bashku me bashkëshortin e saj, me veturën ku kane qenë edhe tre persona të tjerë, kanë kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pastaj nga Aeroporti i Shkupit ka udhëtuar me aeroplan në Stamboll dhe nga aty me autobus ka arritur në qytetin Gaziantep, pastaj me veturë ka hyrë në Siri, ku i është bashkangjitur organizatës terroriste, ISIS, nga e cila organizatë është financuar rregullisht.
“Me këto veprime të pandehurat A.M dhe J.Xh kanë kryer veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’, sipas nenit 143, paragrafi 2 të KPRK-së”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.