Prokuroria ngre aktakuzë kundër ish-kryeshefit të KEK-ut për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të hënën aktakuzë kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria e akuzon Krasniqin për shkelje të detyrës gjatë një periudhe më pak se dyvjeçare.
“I pandehuri N.K., duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria nuk dha hollësi të tjera rreth shkeljeve për të cilat e akuzon Krasiniqin, i cili ishte emëruar në krye të KEK-ut në teror 2021.
Krasniqi ishte arrestuar në prill të vitit 2023 dhe ishte mbajtur në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.
Ai ishte liruar në shtator 2023.
KEK-u e pezulloi nga detyra Krasniqin vitin e kaluar, ndërsa në fillim të këtij viti e shkarkoi atë nga detyra përfundimisht dhe hapi konkurs për kryeshef të ri ekzekutiv.
Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.