Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një serbi për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit M.D, për shkak të kryerjes së veprave penale: “Sulmi ndaj personit zyrtar” si dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
Sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri M.D, më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.