Prokuroria ngreh aktakuzë për rastin “Pronto”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë për rastin e quajtur “Pronto”.
Në këtë çështje penale siç ka njoftuar PSRK-ja janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z. P., dy ish-sekretarë të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish-zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB, S.G., ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë, I.N., ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë, R.A., ish-kryesuesi i Kuvendit të komunës së Prizrenit, N.K. dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, A.P.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediet dhe shoqëria civile.
Përndryshe ky rast ishte publikuar nga mediet publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.