Prokuroria nis hetimet ndaj Ramiz Kelmendit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj biznesmenit Ramiz Kelmendi, i cili ka thënë se është duke kërkuar vota nga të punësuar në kompaninë e tij.
Lajmi është bërë me dije nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë të qarkullimit të një video-incizimi, ku vërehet një person, i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me zgjedhjet parlamentare.
Kjo prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.