Prokuroria nis hetimet për vdekjen e foshnjës në Pejë
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e obduksionit për foshnjën e vdekur gjatë lindjes në Spitalin e Pejës.
Lajmin e ka konfirmuar për teve1, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai ka thënë se aktualisht nuk mund të jepen më shumë informata.
“Gjithashtu, është kërkuar të bëhet obduksioni nga Instituti i Mjekësisë ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes se foshnjës. Nuk mund të japim me shumë informata në ketë fazë”, është përgjigjur Nikçi.
Foshnja dyshohet se ka vdekur gjatë lindjes të mërkurën në Spitalin e Pejës.
Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh ka bërë të ditur se babai i foshnjës dyshon se ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor.
“Rr. Nënë Tereza, Pejë 08.03.2023 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në Spitalin e Pejës gjatë lindjes, foshnja ka vdekur dhe sipas ankuesit (babai) dyshon që ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.