Prokuroria nis hetimet për videon ku shihet “manipulimi me vota nga diaspora”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore ndaj një video incizimi të publikuar në rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për një video e cila edhe ka qarkulluar nëpër disa portale informative dhe që thuhet se ka të bëjë me tre persona të përfshirë në votimin dhe procesin zgjedhor që po zhvillohet në Diasporë.
“Pas publikimit në disa portale informative, lidhur me qarkullimin e një video-incizimi që ka të bëjë me tre persona të përshirë në votimin dhe procesin zgjedhor që po zhvillohet në diasporë, për t’i dërguar në Zyrat e KQZ-zë në Prishtinë, përmes postës, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, duke iniciuar si rast paraprak penal”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, lidhur me këtë video ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Ajo ka bërë të ditur se KQZ mund të bëjë vetëm verifikimin e dokumenteve të cilat u bashkëngjiten votave, kurse pjesa tjetër, në rast se ka manipulime, i mbetet organeve kompetente.
Duke e pranuar se manipulime të tilla edhe mund të ndodhin, Daka, kujtoi edhe rastin e vitit 2013-të, kur KQZ kishte anuluar mijëra vota nga Serbia.
Ndryshe në media është publikuar një video ku shihet një person i cili plotësonte fletëvotime të shpërndara mbi tavolinë.