Prokuroria: Një i arrestuar për grabitjen te “Albi Mall”, tre të dyshuar në arrati

17 mars 2025 | 19:36

Dy persona janë plagosur sot në një rast të grabitjes në oborrin e qendrës tregtare “Albi Mall”.

Një 42-vjeçar nga Vushtrria, i cili mori dy plumba në shpinë nga grabitësit, dhe i plagosuri tjetër është njëri prej grabitësve, që dyshohet se është i nacionalitetit serb.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se njëri nga grabitësit është arrestuar, kurse tre të tjerët janë në arrati.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare ‘’Albi Mall’’. Ndërkohë, hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë ndaluar një (1) person për veprën penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati.”, ka njoftuar Prokuroria.

Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është thënë se lidhur me rastin nuk mund të jepen detaje të tjera.

“Tani për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i Shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardhë çështjen në tërësi.”

Nga grabitja me maska dhe e armatosur te “Albi Mall” në Veternik, ku cak ishte një furgon që po transportonte para, mbeti i plagosur shoferi i automjetit, një 42-vjeçar nga Vushtrria.

Por, nga ky rast dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një nga të dyshuarit për grabitjen.

I dyshuari është i nacionalitetit serb dhe ka kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në Graçanicë, prej nga është dërguar drejt QKUK-së në Prishtinë për shkak të gjendjes së rënduar.

Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore ka folur shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Syla ka thënë se ai është duke u operuar dhe gjendja e tij është e rëndë.

“Po, gjendja e tij është e rëndë, është në sallë të operimit”, tha shkurtimisht Syla.

Drejtori i Emergjencës gjatë ditës kishte konfirmuar se edhe shoferi i plagosur i furgonit që po transportonte para po i nënshtrohej operacionit.

Shoferi ishte plagosur në shpinë me dy plumba.

Lidhur me rastin u deklarua edhe Policia e Kosovës, duke konfirmuar se gjithçka ka nisur rreth orës 10:30 dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa dje ndërroi jetë Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim…