Prokuroria po heton përplasjen mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend
Konflikti fizik mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal, nuk ka kaluar pa vëmendjen e Prokurorisë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës informata lidhur me përleshjen fizike në mes të deputetit të PDK- së, Xhavit Haliti dhe atij të LDK- së, Arben Gashit që ndodhi të premten në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Konkretisht, kryeprokurori Beka ka thënë se ka kërkuar të dijë se deri ku është arritur me hetime dhe ka shtuar se këtë informatë do ta ketë së shpejti.
“Kam kërkuar të di rezultatin e hetimeve deri më tani, pra deri ku është arritur me hetime”, ka thënë Beka për “Kallxo.com”.
Për të ditur se ku janë hetimet dhe a është iniciuar rast, “Kallxo.com” ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por zëdhënësi i saj, Baki Kelani i është shmangur pyetjes direkte duke thënë se policia këtu nuk ka punë.
“Po dëshironi me bë temë me Policinë, thirri palët tjera”, ka thënë Kelani, i cili kur është pyetur se kush flet në emër të Policisë e cila operon në Kuvend, ka thënë “Kryesia e Kuvendit”.
Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë se me rastet ku supozohet që mund të bien ndesh me ligjin, merret Prokuroria dhe Policia.
“Sipas praktikave të deritashme çdo gjë që ka rënë ndesh me ligjin, me të është marrë Prokuroria e Policia”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa vet deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kur është pyetur se a do të iniciojë rast ndaj deputetit Haliti, ka thënë se kjo është punë e partisë.