Prokuroria: Provat nga një rast tjetër inkriminuan Gjukanoviqin

04 mars 2025 | 13:59

Autoritetet në Kosovë konfirmuan se hetimet në një rast tjetër, e inkriminuan edhe të dyshuarën Jellena Gjukanoviq – punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – e cila u arrestua nën dyshimin për spiunazh.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se rasti i saj është duke u trajtuar si “i ndjeshëm” dhe tha se është në kontakt me autoritetet e OSBE-së, për të siguruar trajtimin profesional të tij.

Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare Jarinjë, në veri të Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Në seancën gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 2 mars, asaj iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

Gjykata e arsyetoi këtë masë duke thënë se Gjukanoviq mund të ndërhynte në prova, të ndikonte te dëshmitarët ose ta përsëriste veprën e supozuar.

Me Kodin Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burg, nëse konfirmohet fajësia.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë më 4 mars, prokurori special, Bekim Kodraliu, konfirmoi se Gjukanoviq dyshohet për spiunazh nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës, në bashkëpunim me një të dyshuar tjetër, që është po ashtu nën hetime.

“Rasti është i ndjeshëm. Konfirmoj se jemi në kontakt edhe me autoritetet e OSBE-së, për trajtimin sa më profesional të tij”, tha Kodraliu.

Ndërsa u përmbajt nga zbulimi i detajeve për të dyshuarin e dytë, ai konfirmoi se Gjukanoviq është shtetase e Kosovës me kombësi serbe dhe se punon për Zyrën e OSBE-së në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në rajonin e Mitrovicës.

Kodraliu nuk dha informacione se për sa kohë ka qenë Gjukanoviq aktive në Kosovë, duke thënë se ende janë duke u grumbulluar dhe analizuar dëshmi të tjera.

Megjithatë, ai zbuloi se hetimet ndaj Gjukanoviqit buruan nga një rast i veçantë, që i bëri prokurorët të zbulonin prova inkriminuese kundër saj.

“Për shkak të hetimeve, nuk mund të japim më shumë informacione”, tha Kodraliu për Radion Evropa e Lirë.

OSBE-ja në Kosovë konfirmoi më 2 mars se Gjukanoviq është “anëtare e misionit”.

“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e saj, në përputhje me detyrën tonë”, tha misioni, duke shtuar se nuk mund të komentojë më tej për këtë rast, për shkak të hetimeve që vazhdojnë.

Megjithatë, ai theksoi se vazhdon bashkëpunimin me autoritetet përkatëse dhe se është në kontakt edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë.

OSBE-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me angazhimin e Gjukanoviqit në misionin e saj.

Përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për të marrë më shumë detaje nga avokati i Gjukanoviqit, ishin gjithashtu të pasuksesshme.

Disa media kosovare shkruan se ajo ka qenë “spiune” e Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), por kjo e fundit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me rastin e saj.

Ndryshe prej rasteve të mëparshme, kur autoritetet serbe reaguan ashpër ndaj arrestimeve të serbëve në Kosovë, Qeveria në Beograd nuk e komentoi ndalimin e Gjukanoviqit. Ngjashëm as Lista Serbe, partia kryesore politike që përfaqëson serbët e Kosovës. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Real Madrid, Vinicius Junior foli në konferencë për…