Prokuroria s’e ka gjetur asnjë provë për akuzat, themelet e Speciales janë mbështetur në gënjeshtra
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka shpërthyer në akuza ndaj Prokurorisë, duke theksuar se Specialja u ndërtua mbi themelet e një raporti (te Dick Martyt) që është krejtësisht gënjeshtër.
Sipas tij, gjithë kjo vonesë po bëhet qëllimshëm që krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim.
“Ky është një proces i qëllimshëm që këta burra të rrinë në paraburgim. Ne nuk e dimë se kur do të fillojnë hetimet e tyre. Tribunali u themelua për të gjykuar akuzat e përshkruara anembanë raportit të Dick Martyt. Një raport krejtësisht politik. Ai ka shkruar një raport që përfshinte akuzat më absurde dhe më të paimagjinueshme”, ka thënë Emmerson, duke shtuar se ky institucion u themelua për të shqyrtuar këto akuza absurd që u sajuan nga dëshmitarë që i ka paraqitur zbulimi serb. “Kjo është zbuluar në gjyqin e Haradinajt”, ka thënë ai.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë që të mbështesë akuzat e saja. “Themelet për ngritjen e këtij tribunali kanë qenë të mbështetura në gënjeshtra”, ka thënë avokati.