Prokuroria Speciale do të nisë hetimet pas fotos së publikuar nga deputetja Brovina
Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar se do ta nisë hetimet pas publikimit të fotos nga deputetja Flora Brovina për dhunimin e një 35-vjeçareje nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se vetëm pas publikimit të fotos, e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi deri më tani për një fotografi të tillë nuk ka pasur informata nga askush tjetër, përfshirë edhe deputeten Brovina.
Për më tepër, Prokuroria Speciale ka ftuar të gjithë ata që kanë dëshmi të ndryshme, si video, fotografi apo edhe dëshmi tjera të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, t’i sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që në një shtet ligjorë provat dhe dëshmitë për krimet të pretenduara dorëzohen së pari në prokurori apo polici e jo përmes medieve apo gjatë debateve parlamentare.