Prokuroria Speciale duhet ta zbardhë vdekjen e Astrit Deharit

31 tetor 2019 | 14:42

 Tomë Gashi, avokat i familjes së Astrit Deharit, e ka vlerësuar vendim të drejtë që rasti i vdekjes së Astrit Deharit të kalojë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka theksuar se Prokuroria në Prizren ka humbur kredibilitetin në këtë rast pasi, sipas tij, për tre vjet ka qenë e njëanshme për faktin se ish-kryeprokurori Sylë Hoxha ka dashur ta mbyllë rastin në mënyrë të kundërligjshme, kinse si vetëvrasje.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë kapacitete t’i gjejnë vrasësit e Astrit Deharit dhe t’i akuzojnë ata”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se vdekja e Astritit është vrasje e natyrës politike. “Ne besojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kapacitete të tilla që t’i identifikojë këta persona pasi të gjithë të përfshirit dihen me emra e mbiemra, së paku dihen se kush kanë qenë ata që e kanë hetuar rastin dhe kush kanë qenë ata për të cilët dihen që, thjesht, janë identifikuar si persona që kanë dashur ta mbyllin rastin si, kinse, vetëvrasje”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Ai ka thënë se nuk janë kundër që Prokuroria e Shtetit të angazhojë edhe prokurorë të huaj, qoftë amerikanë, për këtë rast. “Ne mendojmë se Prokurori i Shtetit mund të kërkojë në të ardhmen edhe përfshirjen e prokurorëve amerikanë siç ka deklaruar ai në javën e kaluar dhe besojmë se nuk do të duhej të ishte ndonjë punë shumë e rëndë për identifikimin e asaj se kush ka qenë i përfshirë në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe që të gjithë të dalin para drejtësisë”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se drejtësia e dërguar në vend do të jetë drejtësi për Astritin.

“Epoka e re”: Z. Gashi, të mërkurën kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Si e komentoni këtë vendim?
Gashi: Ky është një vendim i drejtë, i ligjshëm dhe në interes të drejtësisë që rasti i Astrit Deharit të merret nga Prokuroria në Prizren dhe të dërgohet në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila lëndë, po ashtu, do të mbikëqyret nga një prokuror i shtetit që do ta caktojë Aleksandër Lumezi si Kryeprokuror i Shtetit. Prokuroria në Prizren ka humbur kredibilitetin që të merret me këtë rast dhe ajo prokurori që tre vjet ka qenë e njëanshme, posaçërisht ish-kryeprokurori Sylë Hoxha që ka dashtë ta mbyllë rastin në mënyrë të kundërligjshme, kinse si vetëvrasje, edhe pse ai e ka ditur fare mirë se rasti është pa asnjë dilemë vrasje, dhe vrasje e natyrës politike.

“Epoka e re”: Jeni optimist se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do ta kryejë punën si duhet dhe do ta zbardhë të vërtetën për vdekjen e Astrit Dehari?
Gashi: Sigurisht se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë kapacitete t’i gjejnë vrasësit e Astrit Deharit dhe t’i akuzojnë ata, si dhe të identifikohen të gjithë ata që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre në vrasjen/shtytjen për vrasje dhe në fshehjen e vrasjes për tre vjet. Ne besojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kapacitete të tilla që t’i identifikojë këta persona pasi të gjithë të përfshirit dihen me emra e mbiemra, së paku dihen se kush kanë qenë ata që e kanë hetuar rastin dhe kush kanë qenë ata për të cilët dihen se thjesht janë identifikuar si persona që kanë dashur ta mbyllin rastin si, kinse, vetëvrasje.

“Epoka e re”: Pas ekspertizës dhe raportit që keni marrë nga Instituti i Zvicrës, mendoni se në hetimet që do të bëhen për këtë çështje duhet të përfshihen edhe ekspertë amerikanë apo familja Dehari dhe ju si avokat do të keni besim në Prokurorinë Speciale?
Gashi: Ne nuk kemi asgjë kundër që Prokuroria e Shtetit të angazhojë prokurorë amerikanë në këto rrethana të krijuara dhe që ata të punojnë së bashku me prokurorë të shtetit të Kosovës që të akuzohen me prova vrasësit e Astrit Deharit. Pra, ne mendojmë se Prokurori i Shtetit mund ta kërkojë në të ardhmen edhe implikimin e prokurorëve amerikanë siç ka deklaruar ai në javën e kaluar dhe besojmë se nuk do të duhej të ishte ndonjë punë shumë e rëndë për identifikimin e asaj se kush ka qenë i përfshirë në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe që të gjithë të dalin para drejtësisë. Duhet të hetohen edhe gardianët që kanë qenë aty, por edhe zyrtarët e policisë të regjionit të Prizrenit dhe hetuesit të cilëve më nuk u jepet mundësia ligjore që të punojnë fare në këtë rast për shkak se ata qëllimisht kanë dashur ta devijojnë rastin krejtësisht, duke pretenduar se kemi të bëjmë, kinse me vetëvrasje.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se në Kosovë edhe pas dy dekadave shumë vdekje vazhdojnë të jenë enigmë, ka rrezik që edhe vdekja apo vrasja e Astrit Deharit të mbetet e tillë?
Gashi: Ne besojmë se mund të ketë edhe raste të tjera siç është rasti i Astrit Deharit dhe për këtë duhet të japin përgjegjësi të gjithë ata që i dinë faktet dhe nuk flasin. Askush nuk do të duhet të vdiste në institucion shtetëror në vitin 2016, 17 vjet pas luftës dhe tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Epoka e re”: Cilët mendoni se duhet të jenë hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që e vërteta të triumfojë dhe sadopak të lehtësohet dhimbja e familjes Dehari?
Gashi: E vërteta ka qenë e ditur që nga 5 nëntori i vitit 2016, se Astriti është vrarë në burg. Prandaj duhet që të hetohen dhe të akuzohen të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Po ashtu, kjo vlen edhe për ata që i kanë shtyrë vrasësit e Astritit dhe ata që e kanë fshehur vrasjen për tre vjet. Drejtësia e dërguar në vend do të jetë drejtësi për Astritin.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë zhvilluar 11 ndeshje në NBA, por sfida që tërhoqi…