Prokuroria Speciale: Fotografia e prezantuar nga Brovina për dhunime është nxjerr nga interneti
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë me dije se fotografia të cilën më herët e ka prezantuar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK, Flora Brovina, është nxjerr nga interneti dhe s’ka të bëjë me dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një njoftimi për media, PSRK-ja ka treguar se pas paraqitjes së fotografisë është hapur hetimi bazuar në pohimin e deputetes se kjo fotografi dëshmon dhunimin e një gruaje nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas prokurorisë, fotografia në fjalë është dërguar për ekspertizë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila ka konstatuar se fotografia e paraqitur është e printuar në format A4 kolor dhe nuk ka asnjë të dhënë që do të kishte mundësuar hulumtimin e origjinës së fotografisë.
“Kjo fotografi është krahasuar me një fotografi tjetër të siguruar nga interneti dhe u konstatua se në të dy fotografit është paraqitur ngjarja e njëjtë. Bazuar në të dhënat nga ekspertiza dhe provat tjera të nxjerra gjatë hetimit, Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës ka konkluduar se ngjarja nga fotografia e paraqitur nga deputetja Brovina, është nxjerr nga interneti dhe nuk ka të bëjë me ndonjë rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
/Epoka e re/