Prokuroria Speciale fton ministren Haxhiun të dëshmojë në rastin Dehari
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se prokurori special, Afrim Shefiku, ka autorizuar hetuesit që të marrin dëshmi nga ajo në cilësinë e dëshmitares për rastin e Astrit Deharit.
Haxhiu ka thënë se kërkesa për dëshminë e saj është bërë pas një shkrimi në “Facebook” me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së Deharit, në të cilin shkrim akuzonte prokurorinë.
“Prokurori special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit. Është një gjë e thjesht që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefiku e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit! Unë natyrisht do të jap dëshminë time lidhur me këtë. Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi. Bashkëngjitur gjeni autorizimin”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.