Prokuroria Speciale heton ‘organizatat ilegale’ nga Serbia që veprojnë në Kosovë

19 gusht 2022 | 13:57

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”.

Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.  “Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, është thënë në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërsa Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.

Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të “REL”-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.

Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, kanë vlerësuar se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.

Të dy ekspertët  kanë nënvizuar se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është “satelit i Rusisë” dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Apple tha se një e metë po lejon hakerët…