Prokuroria Speciale interviston Duda Baljen pasi denoncoi një rast dhunimi
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka intervistuar deputeten Duda Balje, e cila më 12 shkurt të këtij viti kishte deklaruar se ka njohuri lidhur me një rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Prokuroria gjatë intervistës ka kërkuar nga deputetja Balje të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në në një emision televiziv, për emrin e viktimës apo ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën.
Mirëpo, Balje ka deklaruar se nuk e di emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit.
Prokuroria ka njoftuar se në një situatë të tillë, nga deputetja Balje nuk ka arritur të sigurojë asnjë informacion i cili kishte paraqitur bazë për hapjen hetimit të rastit.
Prokuroria Speciale u ka bërë thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, që ta denoncojnë krimin në prokurorinë kompetente e cila garanton mbrojtjen e identitetit të tyre.
“Gjithashtu i fton të gjithë qytetarët të cilët disponojnë me informacione relevante për rastet e tilla, t’i raportojnë në prokurori e jo për këto raste fillimisht të diskutohet në emisione të ndryshme të karakterit argëtues”, është thënë njoftimin e prokurorisë.