Prokuroria Speciale javën e ardhshme hyn në grevë të përgjithshme
Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nga java e ardhshme (të hënën) do të hyjë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura nga ta.
Grevën e ka paralajmëruar kryetari i këshillit grevist të stafit mbështetës të PSRK-së, Sheremet Fejza.
“Në takimin që e patën sot me gjithë stafin mbështetës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u pajtuam që nga dita e hënë të hyjmë në grevë të përgjithshme, pasi që deri më tani nuk ka pasur asnjë reflektim lidhur me kërkesat tona të cilat tashmë janë publike”, ka thënë kryetari i Këshillit grevist të PSRK-së, Sheremet Fejza.
Ai ka theksuar se greva do të mbahet për shkak të mospërmbushjes së stimulimit në paga të cilat janë të parapara me Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.